Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar një seancë solemne me rastin e 25-vjetorit të Kushtetutës së Shqipërisë. Presidenti Bajram Begaj në fjalën e tij tha se sfida e sistemit gjyqësor sot është se po përballet me një numër të lartë dosjes që janë në shqyrtim, ndërsa theksoi se synim mbetet afrimi i drejtësisë me eficencë, barazi para ligjit e transparencë, te qytetarët shqiptarë.
“Rishikimi i Kushtetutës për shkak të zhvillimeve e realiteteve të reja duhet vlerësuar me kujdes, maturi, e ekspertizë, duke mbajtur në vëmendje të ardhmen evropianë, parimet themelore e shtyllat kryesore të saj. Sistemi i drejtësisë po përballet me një sfidë të madhe, për shkak të numrit të madh që gjykatat kanë në shqyrtim. Duhet të mendojmë zgjidhje sa më të shpejta dhe efektive. Synimi ynë është që drejtësia të afrohet para qytetarëve me eficencë, barazi para ligjit, transparencë. Rezultatet e saj ndihmojnë në rritjen e cilësisë ligjvënëse dhe kontrollit kushtetues”, tha Begaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj dha mesazhin se drejtësia mund të funksionojë vetëm nëse është e pavarur.
“Mos të harrojmë, pushteti gjyqësor mund të luajë rolin e tij kushtetues vetëm nëse është i pavarur. Politizimi i gjyqësorit dhe gjyqësorizimi i politikës kanë qenë dhe janë fenomene, të cilat përbëjnë sfida të vazhdueshme të demokracive në zhvillim, por edhe të atyre të konsoliduara.
Reforma kushtetuese e vitit 2016, e njohur si reforma në drejtësi, synoi shkëputjen e politikës dhe të ndikimit të saj në përzgjedhjen e gjyqtarëve të lartë, duke bërë kështu një përpjekje domethënëse për depolitizimin e gjyqësorit. Nga ana tjetër, gjyqësorizimi i politikës për shkak të referencës kushtetuese në veprimtarinë dhe proceset e politikëbërjes është një trend në rritje. Aksionet politike të rëndësishme e kanë devijuar diskursin politik nga organi i zgjedhur nga populli në një debat gjyqësor kushtetues.”