Ekspertë të sigurisë kombëtare apo njohës të strukturës së ish-sigurimit të shtetit, kanë shanse për tu bërë pjesë e Autoritetit për hapjen e dosjeve të periudhës ish-komuniste. Njoftimi për vende të lira pune në këtë Autoritet është bërë nga Kryesia e Kuvendit me sugjerimet përkatëse të OSBE-së. Kjo e fundit përmes një letre dërguar Komisionit parlamentar të Ligjeve rekomandon procedurën paraprake të mënyrës se si do përzgjedhin kandidatet.
Inkurajohet që personat të kenë njohuri të thelluara në fushën e historisë arkivave, ekspertë të çështjeve të sigurisë dhe njohës së ish-sigurimit të shtetit. Po ashtu OSBE në letrën dërguar Komisionit të Ligjeve rekomandon që në njoftimin e Kuvendit të mos përfshihet si kriter paraqitja e certifikatës së sigurisë por vetëm deklarata që kandidati përmbush të gjitha kriteret ligjore. Certifikata e sigurisë sipas OSBE rekomandohet të paraqitet përpara votimit në Kuvend të kandidatëve. Ndërkohë njoftimi i Kuvendit e kërkon këtë dokument të paktën 1 jave para shqyrtimit të kandidaturës duke mos e respektuar këtë propozim të OSBE. Madje sipas argumenteve që jep ky institucion, njoftimi shkon përtej kërkesave të ligjit, madje mund të spraps shumë kandidatë për shkak se nuk është e thjeshtë për tu pajisur me këtë certifikatë. Nga data 24 korrik deri më 22 gusht të gjithë ata të interesuar duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar në kryesinë e Kuvendit. Ngritja e Autoritetit për hapjen e dosjeve pritet të votohet në muajin shtator në Parlament.