Kuvendi i ka kërkuar Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil që të jetë i kujdesshëm gjatë këtij viti për të monitoruar që administrata publike të mos përdoret me detyrim gjatë fushatës elektorale .

Në rezolutën për aktivitetin e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar si dhe prioritetet që duhet të mbahen parasysh për këtë vit, një ndër pikat që theksohet është pikërisht ajo për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

“Kuvendi kërkon qe Komisioneri për vitin 2019 të monitorojë sjelljen e nëpunësve civile gjatë fushatës zgjedhore për njësite e qeverisjes vendore, me qëllim ndalimin e përdorimit të detyruar të nëpunësve civile ne fushatën zgjedhore, gjate orarit zyrtar, nga subjektet politike,

e po kështu edhe mbikëqyrjen e zbatimit të të drejtave të tyre me karakter politik, si dhe respektimin nga ana e tyre, të kufizimeve që ligji i ka vendosur në lidhje me këto të drejta” thuhet në rezolutë.

Një tjetër element që sillet në vëmendje është ajo për nëpunësit civilë që janë larguar nga shërbimi dhe që kanë fituar gjyqin për t’u rikthyer.

Komsionerit i kërkohet të koordinojë veprimtarinë me Departamentin e Administratës Publike dhe njësitë përgjegjese të institucioneve të administratës vendore, dhe atyre të pavarura, me qëllim që të identifikohen mundësitë e sistemimit të punonjësve gjyq fitues në shërbimin civil, sipas dispozitivit të vendimit gjyqësor.

Komsionierit i është ngarkuar gjithashtu detyra që të shohë me prioritet rastet e individëve që janë pjesë e shërbimit civil në administratën qendrore dhe vendore të cilët vazhdojnë marrëdhënien e punës megjithëse kanë arritur moshën e pensionit dhe duhet të kishin ndërprerë me kohë marrëdhëniet juridike dhe financiare.

Një tjetër aspekt ka të bëjë me trajnimin e njësive të menaxhimit të burimeve njerëzore ku kërkohet që të vijohet bashkëpunimi me Shkollën e Administratës Publike me qëllim unifkimin e zbatimit të ligjit duke respektuar afatet e vendosura në planin e veprimit të realizimit të Strategjisë Ndërsketoriale të Reformës së Administratës Publike.

Komsionieri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil është një hallkë institucionale e krijuar për të monitoruar trupën civile në administratën publike. Në krye të këtij institucioni aktualisht si Komisionere është Pranvera Strakosha e emëruar qysh në vitin 2014 në këtë pozicion

Artikulli paraprakVDEKJA E NËNTETARE ZARIFE HASANAJ, VJEN REAGIMI ZYRTAR NGA LETONIA
Artikulli tjetërMETA RRËZON KËRKESËN E MINISTRISË SË ARSIMIT PËR SHKARKIMIN E REKTORIT KONI