Izraeli planifikon të bëhet vendi i parë që do të nxjerrë një dozë të katërt të vaksinës Covid-19, ndërsa vendi përgatitet për një valë infeksionesh të shkaktuara nga varianti i ri, Omicron.

Ekspertët e pandemisë izraelite kanë rekomanduar një dozë të katërt përforcues për personat mbi 60 vjeç dhe punonjësit e shëndetësisë.

Kryeministri, Naftali Bennett, e mirëpriti planin dhe u tha zyrtarëve të fillonin përgatitjen. Kjo vjen pasi Izraeli konfirmoi vdekjen e parë të një pacienti me variantin Omicron të martën, 21 dhjetor.

Vendimi për të nxjerrë një dozë të katërt përforcuese është ende në pritje të miratimit nga zyrtarë të lartë shëndetësorë, megjithatë zyra e zotit Bennett i tha BBC-së se shpreson të administrojnë dozën te njerëzit të paktën katër muaj pas dozës së tretë.

“Ky është një lajm i mrekullueshëm që do të na ndihmojë të kalojmë valën Omicron që po përfshin botën,” tha zoti Bennett, ndërsa u kërkoi njerëzve që të pranojnë ofertën sa më shpejt të jetë e mundur.

Të hënën, kryeministri tha se donte që çdo fëmijë i kualifikuar të merrte vaksinën brenda dy javëve të ardhshme për të ndihmuar në “vonesën, ngadalësimin dhe zvogëlimin” e fuqisë së një vale tjetër infeksionesh.

Vendi tashmë ka zgjeruar ndalimin e udhëtimit në vendet përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Italinë dhe Kanadanë në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit.

Izraeli ka konfirmuar më shumë se 1.36 milionë infeksione Covid që nga fillimi i pandemisë, me rreth 8,200 vdekje, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.

Izraeli ka bllokuar udhëtimet nga SHBA, Gjermania, Italia, dhe Kanadaja për të ulur përhapjen e variantit Omicron.

Artikulli paraprakSHQIPËRIA JASHTË KURSIT PËR MBIPESHËN TEK TË RRITURIT DHE KEQUSHQYERJEN TE FËMIJËT
Artikulli tjetër‘NUK ËSHTË KOHA PËR PARTY’, GJERMANIA SHTRËNGON MASAT ANTI-COVID