Kryeministri australian, Scott Morrison, ka kërkuar falje që shkoi me pushime në Hawaii këtë javë ndërsa kriza me zjarret në vend u përkeqësua.
Ekipet e shpëtimit janë duke luftuar më shumë se 100 zjarre, të cilat janë përhapur në kohën kur Australia është përballur me dy ditët më të nxehta në histori.
Dy zjarrfikës kanë vdekur në një aksident rrugor të enjten, teksa ishin nisur për të fikur një zjarr të madh afër Sidnejt.
Morrison ka thënë se do të kthehet më herët nga pushimi, meqë mungesa e tij këtë javë ka nxitur kritika dhe protesta.
“Ndjej keqardhje të thellë për ndonjë ofendim të shkaktuar te ndonjë australian i prekur nga zjarret e tmerrshme, duke shkuar në pushim me familjen time në këtë kohë”, ka thënë ai të premten.
Si pasojë e krizës me zjarre nga muaji shtator, në Australi kanë vdekur tetë persona dhe janë shkatërruar më shumë se 700 shtëpi.
Temperaturat në disa shtete të Australisë kanë arritur në mbi 45 gradë Celsius këtë javë.
Të premten në Viktoria është regjistruar temperatura më e lartë gjatë muajit dhjetor, pasi në qytezën Hopetoun nxehtësia është regjistruar 47.4 gradë Celsius.