MES TË ARRESTUARVE NIPI I ISH-DIKTATORIT ENVER HOXHA, FAMILJA E MOHON.Ka shkuar në 11 numri i personave të arrestuar në superoperacionin e zhvilluar të mërkurën që zbuloi laboratorin e parë të përpunimit të kokainës së pastër në vendin tonë, i ngritur në fshatin Xibrakë të Elbasanit.
Lajmi u përhap bujshëm në media gjatë orëve të pasdites të djeshme, ndërsa sot Policia e Shtetit erdhi me një deklaratë zyrtare që zbardhi të gjithë të përfshirët në trafikun e drogës si dhe itineratin e saj. Mes të arrestuarve është edhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, i cili u vu në pranga pasditen e djeshme ndërsa ishte në banesën e prindërve të bashkëshortes së tij, këngëtares Rezarta Shkurta.
Sipas Policisë, dy kolumbianët e vetëm mes 9 shqiptarëve të arrestuarve, janë marrë nga organizata kriminale për përgatitjen e kokainës në laborator, aty ku dhe u arrestuan në flagrancë. Kjo zgjedhje ishte bërë nga anëtarët e bandës me qëllim përpunimin profesional të lëndës narkotike dhe përgatitjen përfundimtare të saj për treg.
Sipas policisë, droga vinte nga Amerika Latine në Ballkan, përpunohej në Shqipëri dhe më pas trafikohej në vendet e Europës Perëndimore, kryesisht Gjermani.
“Grupi kriminal siguronte lëndë me përmbajte të substancave narkotike te cilat më pas i nënshtroheshin një procesi përpunimi dhe nxjerrjes së substancës së pastër kokaine me qëllim përdorimin në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.