Laç, dhunohen futbollistët e Kukësit Gjici:FSHF masa ndaj protagonistëve
Futbollistët e U-19 dhe U-17 të Kukësit janë dhunuar në fushën e Laçit ndonëse kishin shkuar atje për të zhvilluar një ndeshje futbolli. Siç raportohet në faqen zyrtare të ekipit veri-lindor futbollistët janë përballur me një presion të madh brenda dhe jashtë fushe ku dy nga lojtarët janë goditur duke u dërguar në spitalin ushtarak. Klubi në reagimin zyrtar thotë se gjithçka ka ndodhur nën sytë e arbitrit kryesor ku nga goditjet e marra kanë përfunduar në spital lojtari Uka dhe Kashanjeva i U-19 ndërkohë që shton se, dhuna ka qenë prezente jashtë fushë dhe brenda saj. Sipas klubit, arbitri pasi ka nxjerrë dy lojtarë të Laçit me karton të kuq, i ka rifutur në lojë, pasi nga frika dhe presioni, kartonët i shënoi si të verdhë. Në një reagim për këtë ngjarje, presidenti i ekipit të Kukësit ka thënë se do e ndjekë deri në fund këtë çështje, pasi shëndeti i lojtarëve është parësorë. “Klubi F.K. Kukësit do e ndjekë deri në fund këtë çështje dhe do të përgatisë të gjithë dokumentacionin e duhur për ta dorëzuar në FSHF. Kjo sjellje është prishje e qartë e garës dhe si gjithmonë ndodh në Laç. Duke parë situata të tilla, kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme dhe dënimeve shembullore për protagonistët e ngjarjeve. Për ne nuk ka asgjë më të rëndësishme se shëndeti i lojtarëve tanë, prandaj ose të merren masat e duhura, ose të ndërpritet gara, pasi nuk po flasim më për futboll” ka thënë Safet Gjici.