Laçi triumfon për herë të parë në histori në Superkupën e Shqipërisë. Kurbinasit mposhtën pas goditjeve nga pika e bardhë e penalltisë kampionët e Skënderbeut duke arritur suksesin e parë sezonal. Njëlloj hakmarrjeje kjo ndaj korçarëce për finalen e para dy viteve, që e humbisnin nga pika e bardhë, po ndaj Skënderbeut.
Ndoshta korçarët ishin fizikisht në këtë finale Superkupe, të paktën pjesën e parë, sy dhe veshë te sfidat e “play-off”-it në Champions, ndaj Dinamos së Zagrebit. Dopieta e sulmuesit të spikatur nigerian, Xhejms, u ka dhënë bardhezinjve avantazhin 2-0, ndërsa reagimi ka ardhur po me të njëjtën monedhë nga Hamdi Salihi, i cili ka shënuar dy herë në portën e Selmanit dhe ka barazuar gjithçka. Shtesa prej 30 minutash nuk ka mjaftuar për të shpallur fituesin, ndërsa lojtarët u janë drejtuar penalltive. Të gjithë janë treguar të saktë, me përjashtim të Lulajt të Skënderbeut, që është ndalur nga portieri i ri kurbinas. Përfundimisht, rezultati i penalltive ka qenë 8-7 për skuadrën e Cungut, që fiton kësisoji këtë trofe prestigji për herë të parë.