PJESË E UNAZËS LINDORE, MUNGON KONTRATA E FIRMËS ME OSHEE PËR NDRIÇIMIN. E gjithë lagjia “Skënderbeg” gjatë natës vazhdon që të mos ketë ndriçim. Shkak për mungesën e ndriçimit të asaj pjesë të rrugës janë bërë punimet e unazës lindore të cilat po stërgjaten pafund. Qarkullimi gjatë orëve të natës është i vështirë sepse e gjithë gjatësia e rrugës ndodhet në errësirë të plotë. Një problem më të madh e kanë kalimtarët e po ashtu edhe banorët e zonës të cilët përshkohen shpesh aty.
Burime pranë Bashkisë Shkodër bëjnë me dije se firma që po kryen punimet nuk ka për momentin një kontratë me Operatorin e Shpërndarjes të Energjisë Elektrike ndaj shtyllat e ndriçimit të vendosura ditët e fundit nuk mund të ndizen sepse mungon kontrata. Po ashtu Bashkia Shkodër nuk mund që t’i kërkojë llogari asaj firme sepse objekti nuk është marrë akoma në dorëzim dhe nga ana tjetër kontrata për atë investim që po bëhet është me drejtorinë e përgjithshme të rrugëve. Nga ana e saj Bashkia është në pritje të nënshkrimit të një kontrate të firmës përkatëse me OSHEE në mënyrë që rruga në lagjen “Skënderbeg” të ketë ndriçim në ditët në vazhdim. Për t’i paraprirë kësaj situate, burime pranë Bashkisë bëjnë të ditur se firmës i është kërkuar dokumentacion teknik për të aplikuar për lidhje kontrate me OSHEE. Aktualisht çështja ndodhet në këtë fazë. Nga ana e saj edhe vetë firma i është drejtuar Bashkisë Shkodër por edhe vetë OSHEE për të kërkuar se çfarë dokumentash duhen bërë për të bërë kontratën për ndriçimin e rrugës. Të paktën edhe për afro dy javë i gjithë ai segment, pjesë e unazës lindore do të duhet të qëndrojë në errësirë derisa të bëhet e mundur nënshkrimi i kontratës. Unaza lindore është pritur që të përfundojë që në gushtin e vitit të kaluar por ky afat nuk është respektuar dhe punimet ende vazhdojnë.