Keqmenaxhimi I mbetjeve urbane dhe inerte në qytetin e Shkodrës nuk gjen zgjidhje. Pavarësisht alarmit të ngritur nga qytetarët, organizatat apo edhe shoqëria civile, sërisht situata vazhdon të mbetet e njejtë. Në lagjen “Tepe” ndër më të vjetrat e qytetit dhe me një densitet të lartë popullsie, pamja që të ofrohet lë për të dëshiruar.
Mbeturina të shpërndara në të gjithë rrugën, jo vetëm shëmtojnë pamjen por edhe bëhen shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve. Disa herë në media është bërë publik rasti I depozitimit të këtyre mbeturinave në lagjen “Tepe” por që asnjëherë nuk ka marrë zgjidhje nga institucionet përgjegjëse.
Zgjidhja efikase e këtij problemi kërkon edhe sensibilizimin e komunitetit përreth për dëmet mjedisore që I shkaktohen kësaj zone mjaft të banuar, gjë e cila duket se mungon prej vitesh. Janë edhe vetë banorët ato të cilët me përgjegjësinë më të vogël hedhin mbetjet e tyre larg kazanëve ndërkohë që më pas ngrenë zërin për mospastrimin e këtyre mbetjeve.
Në këtë lagje, qeset plastike, kutitë e kartonit e shumë të tjera të shpërndara në të gjithë sipërfaqen e rrugës të japin një përshtypje tejet negative. Madje, si zgjidhje afatshkurtër banorët kanë zgjedhur t’I depozitojnë këto mbetje në kanalin e rrugës ku me fillimin e ditëve me reshje shiu bllokimi I kanalit dhe dalja e mbeturinave në rrugë është një fakt I pashmangshëm.
Zgjidhje për banorët është bërë edhe djegia e këtyre mbeturinave. Jashtë kameras, një banor tregon se aroma e rëndë që ka lagjja I ka detyruar ato t’I vendosin flakën grumbujve me qese plastike apo çfarëdo gjëje tjetër. Institucionet përgjegjëse, edhe pse në dijeni të këtij fakti duket se nuk kanë kërkuar t’I japin zgjidhje një problem të tillë që rrezikon gjatë gjithë kohës shëndetin e qindra banorëve.