Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar të shtunën në Prishtinë, të dërguarin e posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ndonëse nuk dihet saktë se çfarë do të bisedohet në këtë takim, vizita e Lajçakut vjen disa ditë pas vizitës së të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Escobar kishte thënë se ndër qëllimet e vizitës ishte edhe inkurajimi për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Vizita e Lajçakut vjen po ashtu në kohën kur në opinion po qarkullon një i ashtuquajtur propozim gjermano-francez në lidhje me lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Propozimi, sipas raportimeve në media, nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Ndërkohë, të premten, në një takim me Ramush Haradinaj, liderin e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryeministri Kurti u tha se është diskutuar për përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale me Serbinë. Analistë dhe ekspertë të politikave ndërkombëtare ditëve të fundit kanë vlerësuar se ka një ndryshim në qasjen ndaj dialogut dhe mund të ketë hapa drejt një marrëveshjeje finale. Vizita e fundit e Mirosllav Lajçakut në Kosovë ishte më 13 tetor.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë në dialog nën ndërmjetësimin e BE-së. Këto dy shtete, megjithatë kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Beorgadi kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa elaboruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Artikulli paraprakZHVILLOHET TURNEU “SHKODRA OPEN”
Artikulli tjetërKRYEMINISTRI RAMA U JEP LAJMIN E MIRË PENSIONISTËVE: JA KUR DO TA MERRNI BONUSIN E FUNDVITIT!