Lajm i keq për emigrantët europianë në Britani

 

Një lajm i keq vjen për emigrantët e BE në Angli. Kryeministrja britanike Theresa May po shqyrton mundësinë e dhënies fund të qarkullimit të lirë për emigrantët e Bashkimit Evropian. Ky vendim pritet të merret në mes të muajit mars, që do të përkojë me fillimin e procedurave të Brexit, njoftoi sot gazeta konservatore ”The Telegraph”. SIpas gazetës britanike May mendon të konfirmojë që qytetarët e Bashkimit Evropian, pas hyrjes në fuqi të nenit 50, nuk do të kenë më automatikisht të drejtën për të qëndruar në mënyrë të përhershme në Mbretërinë e Bashkuar. Pas Brexit, qytetarët e Bashkimit Evropian mund të jenë subjekt i vizave si edhe i limitimit të përfitimeve, ndërkohë që ata që ndodhen aktualisht në Britaninë e Madhe do të kenë të gjitha të drejtat deri në momentin kur edhe Bashkimi Evropian do t’ia garantojë këto të drejta qytetarëve britanikë. Gazeta hedh hipotezën se tensionet e reja mes Londrës dhe Bashkimit Evropian mund të fillojnë sërish kur Brukseli t’i kërkojë May-t garantimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve të BE-së deri në fund të vitit 2019. Megjithatë ministrat kanë ngritur shqetësime se duke pritur deri në fund të negociatave, numri i emigrantëve që do të vijnë përpara Brexit do të vijë në rritje.

Artikulli paraprakVOLEJ MESHKUJ, VLLAZNIA RREZIKON FAZËN PLAY OFF
Artikulli tjetërUSHTARË KUNDËR ISIS, SHQIPËRIA DO DËRGOJË NJË TOGË OPERACIONALE NË IRAK