Lajme të mira vinë nga spitali për portierin e Partizanit, Aldo Teqja. Përveçse një mrekulli që ai shpëtoi nga rënia e katit të 7 të pallatit ku jetonte, 24-vjeçari tashmë po rikuperohet dhe shumë shpejt do ti kthehet fushës së blertë.
“Ndihem mirë…më e keqja kaloi, do të rikthehem shpejt në fushën e lojës”, tha portier i Partizanit.
Gjendjen e mirë shëndetësore të tij e konfirmojnë edhe mjekët që po e mbajnë nën kujdes.
Sakaq familjarët e tij kanë sqaruar edhe rrethanat sesi Aldo ra nga ballkoni i apartamentit ku jetonte, duke hedhur poshtë njoftimin e policisë se kemi të bëjmë me vetëhedhje.
Babi i portierit të Partizanit ka treguar se 24-vjeçarit iu kërkua nga nëna e tij të rregullojë tendën në ballkon dhe për fat të keq në atë moment ka ndodhur gjithçka.
“Dua të përgënjeshtroj të gjitha mediat dhe portalet, djali im ka pësuar një aksident. Gjithashtu dua të falenderoj të gjithë stafin e spitalit të traumës, Klubin Partizani dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për ndihmën që na kanë dhënë. Gjithashtu dua të theksoj se e fejuara e djalit së bashku me prindërit e saj kanë qenë këtu me ne që nga dita e parë dhe deri më tani. Aldo do të kthehet shumë shpejt si kampion”, u shpreh ai.
Ngjarja e rëndë u shënua katër ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
Aldo Teqja është 24 vjeç, aktualisht portieri i dytë i Partizanit. Pas 3 viteve të kaluara te skuadra e Skënderbeut, verën e fundit vendosi të kalojë në kryeqytet. Ai njihet si një portier me të ardhme, ka qenë edhe pjesë e Kombëtares Shpresa.