Një njoftim i çuditshëm është shpërndarë në shumë pjesë të qytetit të Shkodrës që lidhet me hapësirat publike në qytetin e Shkodrës. Një temë e shumëdiskutuar që ende nuk ka marrë një zgjidhje pavarësisht përpjekjeve apo aksioneve që ka ndërmarrë bashkia Shkodër me iniciativë direkte të kryetares së bashkisë Voltana Ademi.
Krijuesit e këtij njoftimi kanë zgjedhur një mënyrë interesante e po ashtu deri diku të çuditshme e përcjellë në mënyrë ironike si një lajmërim vdekjeje. Në letrën e shpërndarë thuhet se: “me dhimbje të thellë lajmërojmë se vdiqën hapësirat publike! Me mall do të kujtojmë trotuaret ku dikur lëviznin lirshëm, parqet që u kthyen në pallata e rrugët e kthyera në parkingje private. Do të kujtojmë me mall e dhimbje të drejtën tonë për të gëzuar atë çfarë është e jona” – thuhet në një pjesë të këtij njoftimi që ka marrë jo pak vëmendjen e qytetarëve të Shkodrës. Lajmërimi i veçantë vijon më tej teksa thuhet: “varrimi bëhet çdo ditë në çdo metër trotuar të zënë, në metër të korsive të biçikletave ku parkohen makina në çdo park të munguar”- dhe përfundon me fjalitë që përveç institucioneve thumbon edhe vetë qytetarët: “me shpërblime, me ndërgjegjen tuaj të zgjuar dhe zërin e ngritur. Ua kthefshim në gëzimin e rikthimit të asaj që iu takon”- mbyllet lajmërimi jo i zakonshëm që persona të paidentifikuar kanë vendosur ta shpërndajnë duke synuar që të prekin sado pak ndërgjegjen e gjithsecilit për zënien e hapësriave publike. Në fakt po rezulton misioni më i vështirë edhe për kryebashkiaken Ademi e cila ka nxitur policinë bashkiake dhe kryetarët e 5 rajoneve për lirimin e hapësirave publike. Rrugët e trotuaret kryesisht vazhdojnë që të jenë të uzurpuara duke mos patur mundësinë për t’i liruar. Natyrisht që e gjitha kjo lidhet me mungesën e tregjeve gjë për të cilën bashkia Shkodër ka nisur punën dhe në fillim të vitit të ardhshëm pritet sistemimi i shumë prej këtyre tregtarëve. Deri atëherë lajmërimi për hapësirat publike do vijojë të jetë prezent.