Arrestohen Drejtoresha dhe një infermiere e Qendrës së Zhvillimit Social në Shkodër, të dyshuara për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Arrestimi i tyre u bë pas një hetimi dy javor të Prokurorisë së Shkodrës. Në bazë të hetimeve të organit të akuzës, ka rezultuar se ndaj pacientëve me sëmundje të shëndetit mendor në këtë qendër është ushtruar dhunë sistematike. Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se tre femra në moshë madhore, paciente në këtë Qendër, kanë qenë shtatëzanë dhe kanë abortuar në mënyrë të paligjshme. Ky rezultat ka dalë në bazë të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor, të kërkuara nga ana e Prokurorisë së Shkodrës. Në bazë të hetimit të deritanishëm, Prokuroria e Shkodrës ka evidentuar si përgjegjës për trajtimin jo në mënyrën e duhur shtetaset Juliana Cepi drejtoreshë e Qendrës, si edhe Aida Ymeraj, infermiere në këtë qendër. Në bazë të urdhërit të Prokurorisë, këto dy shtetase janë ndaluar nga ana e Policisë Vendore mesditën e së mërkurës (dt.01.06.2016). Ndërkohë, po vijohet hetimi për të identifikuar plotësisht rastet e dhunës, si edhe përgjegjësitë e punonjësve të Qendrës, neglizhenca e të cilëve ka sjellë si pasojë shtatëzaninë e femrave me probleme mendore, si edhe ndërhyrjen e paligjshme për abortin e tyre.

Artikulli paraprakVLLAZNIA, MË NË FUND REALIZOHET TAKIMI MES DREJTUESVE DHE CUNGUT
Artikulli tjetërHAPET NË ZVICËR, TUNELI MË I GJATË NË BOTË