Presidenti Nishani doli si rrallëherë në një konferencë për mediat për të folur për dy çështje dhe që të dyja këto çështje lidheshin me një emër të vetëm; Erion Veliajn.
Shqetësimi i parë i Presidentit lidhej me një deklaratë të kryebashkiakut të Tiranës, në të cilën, sipas kreut të shtetit akuzohej si “hajdut”. “Unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e Presidentit të Republikës një hajdut. Drejtësia duhet ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë Presidentin si hajdut dhe ta dënojë atë në bazë të krimit, ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin. Kjo është një rrugë pa kthim”, u shpreh Nishani. Shqetësimi i dytë i Presidentit të Republikës lidhej me atë që e quajti “sulm terrorizues ndaj gjyqtarëve”. “Çështja e dytë është sulmi i dhunshëm i djeshëm, organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe qytetarë dhe individë të tjerë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ. Sulmi i dhunshëm qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës dhe funksioneve të tyre kushtetuese që e dënojmë me ashpërsinë më të madhe. Sulm ishte i organizuar, instrumentalizuar politikisht ndaj një pushtetit të pavarur kushtetues”, u shpreh ai. Muaj më parë, në Top Story, Presidenti tha se ishte në dijeni që përgjohej ai dhe familja e tij, por ishte mosbesues për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. I pyetur nga Top Channel nëse me këto deklarata kishte ndryshuar qëndrim ndaj sistemit të drejtësisë, Presidenti e mohoi këtë. “Nuk kam ndryshuar asnjë mendim. Unë i qëndroj mendimit që sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë”, tha ai.