Javë fatlume për Vllazninë. Pa frikë mund të thuhet se kuqeblutë tashmë kanë siguruar mbijetesën edhe pse duhen edhe 3 javë për t’u luajtur.
Kukësi nuk shkoi më shumë se në një barazim pa gola përballë Vllaznisë. Edhe pse ndeshja u luajtur brenda në Kukës, kuqeblutë me një lojë racionale arritën që të marrin barazimin. Gjatë gjithë javës artikulim tek skuadra shkodrane ka qenë arritja e një barazimi që tashmë u kthye në realitet. Edhe përballë një ekipi me pretendime ku fitorja ishte domosdoshmëri për objektivat në kupat e europës, kuqeblutë bënë më së mirë detyrën e tyre duke mos pësuar gol. Vllaznia nuk mendoi edhe aq shumë për sulmin edhe pse tentoi në momente të ndryshme. Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu arriti të përmbushte objektivin që ishte barazimi duke i hapur shumë punë Kukësit i cili barazohet në vendin e tretë nga Teuta e cila fitoi në transfertën e vështirë ndaj Bylisit me një gol të shënuar. Edhe humbja e ballshiotëve përballë skuadrës durrsake është një lajm i mirë për Vllazninë duke shtuar gëzimin edhe më shumë pas barazimit në Kukës. Marrja e një pike ndaj kuksianëve dhe disfata e Bylisit ndaj Teutës bëjnë që shkodranët të jenë më të fituarit në këtë mes duke thelluar në 5 pikë diferencën ndaj ballshiotëve. Kampionati ka edhe 3 javë deri në fund dhe në sfidën e ardhshme Vllaznia pret Tërbunin e vendit të fundit, takim në të cilin fitorja nuk mund të vihet në diskutim. Më pas shkodranët udhëtojnë drejt kryqytetit ku i pret Tirana ndërsa në ndeshjen e fundit presin Bylisin në Shkodër në takimin direkt, ndeshja e cila mesa duket s’do të ketë asnjë vlerë përveç anës statistikore. Vllaznia i jep fund kështu një kalvari të gjatë edhe në këtë kampionat teksa rrezikoi jo pak rënien nga Superliga.