Policia e Shtetit: Kapet dhe arrestohet i shumëkërkuari, një nga organizatorët e grupit të grabitjeve të vlerave monetare në rrugën e Rinasit.
Pas një operacioni disa ditor në qarkun Dibër ku u përfshinë forcat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Renea, Forca e Posaçme Operacionale dhe FNSH, u bë e mundur kapja e të shumëkërkuarit Admir Çerpja, një nga organizatorët e grabitjeve në aksin rrugor Qaf Kashar -Rinas. Kapet në orët e mbrëmjes Admir (Gjuljano) Çerpja, 35 vjeç, banues në Bathore Tiranë.
Në vijim të operacionit “Patriot” që po vijon nga strukturat e Policisë së Shtetit, për kapjen e të gjithë personave, organizatorë, pjestarë të grupit apo të përfshirë në grabitjet me armë të vlerave monetare në rrugën e Rinasit, si rezultat i trysnisë policore të ushtruar në disa zona të rrethit Dibër për kapjen e Admir Çerpja, rezultoi se: Rreth orës 21.00, në fshatin Zalldardhë të Dibrës forcat policore kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e Admir Çerpja. Ky shtetas po afrohej për tu futur në fshatin Zalldardhë në orët e mbrëmjes për të blerë ushqim. Në vijim të kontrolleve të shumta dhe menaxhimit të informacionit të grumbulluar në mënyrë të pandërprerë në lidhje me vendodhjen e këtij personi, u bë e mundur ndërhyrja në kohë duke prangosur shtetasin e lartpërmendur. Shtetasi Admir Çerpja është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprimë të mëtejshme. Policia e Shtetit vazhdon kërkimin me grupe të shumta në zona të tjera veriore për kapjen dhe vënien përpara përgjegjsisë ligjore të autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.