Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtorin e ALUIZNI-t të qytetit, Ardian Dodani, i dyshuar se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në legalizimin e objekteve informale, kryesisht lokale dhe ambiente të tjera tregtare.
Në zbatim të vendimit të gjykatës, i dyshuari është arrestuar mesditën e sotme nga ana e forcave të Policisë Vendore të Shkodrës. Nga hetimet e Prokurorisë së Shkodrës rezulton se, në të paktën 5 raste, kryesisht të vitit 2015, ish-drejtori i ALUIZNI-t të qytetit, Ardian Dodani, dyshohet se ka shkelur kuadrin ligjor që rregullon procesin e legalizimit të objekteve informale.
Në praktikat e legalizimeve, të cilat janë sekuestruar në kuadër të hetimit, Prokuroria e Shkodrës ka evidentuar se, me firmën e Dodanit, janë legalizuar objekte tregtare (bar-restorante) pranë rrugëve kryesore ose në zonën turistike të Shirokës, në të cilën nuk lejohet legalizimi. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës rezulton se ish-drejtori i ALUIZNI-t Shkodër, Ardian Dodani, ka nënshkruar praktikat për këto subjekte, ndërkohë që asnjë prej zyrtarëve të tjerë nuk ka nënshkruar dokumentat, sipas përgjegjësive të tyre ligjore dhe administrative.
Në bazë të hetimeve të deritanishme, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Ardian Dodani, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Shkodër, ka konsumuar elementët e veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës”. Në këto kushte, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga gjykata dhe u ekzekutua nga ana e forcave të Policisë.