Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit avioni i Kombëtares.Avioni u ul në pistë rreth orës 15:40 dhe jo në 15:00 siç ishte parashikuar.
Në aeroport, Kombëtarja u prit nga Kryeministri Rama dhe Ministrja Nikolla me të gjitha nderimet ushtarake dhe rojen e nderit. Më pas, skuadra e kombëtares do të lëvizë me një autobuz të hapur drejt Tiranës ku ndalesa e parë do të jetë përpara Bashkisë së Tiranës. Pikërisht aty, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj do t’u japë djemve të kombëtares simbolin e Tiranës, Çelësin e qytetit. Ndalesa e dytë për Kombëtaren do të jetë Ministria e Punëve të Jashtme, ku Ministri Bushati do të presë skuadrën e kombëtares, të cilët do të bëjnë edhe aplikimin për pasaportën diplomatike, premtim ky i Kryeministrit Rama. Ndalesa e tretë do të jetë në Kryeministri, ku shefi i qeverisë do të presë zyrtarisht skuadrën e kombëtares dhe ku të ftuar do të jenë edhe futbollistët më të shquar kuqezi ndër vite. Etapa tjetër do të jetë sheshi “Nënë Tereza”, pikërisht Fun Zone nga ku qytetarët e Tiranës ndoqën me emocion ndeshjet e kombëtares. Në orën 19.00 skuadra do të dalë në Fanzonën e kryeqytetit në sheshin “Nënë Tereza”, për tu përshëndetur me tifozët. Në Fun Zone do të ketë një koncert madhështor me DJ dhe këngëtarë të njohur, ndërkohë që djemtë e kombëtares do të kenë mundësinë t’i flasin sportdashësve shqiptarë nga një skenë e ngritur posaçërisht për këtë ditë. Në mbrëmje, Kryeministri Rama do të shtrojë një darkë në nder të ekipit kuqezi, ku do të marrin pjesë personalitete të larta të shtetit shqiptar dhe të Kosovës. Programi: Mbërritja në aeroporti “Nënë Tereza”: 15:30 Ceremonia e pritjes në aeroportin “Nënë Tereza”:15:45 Ceremoniali i dhënies së “Çelësit të qytetit” Bashkia Tirane: 16:15-16:30 Ministria e Punëve të Jashtme aplikimi për pasaportën diplomatike: 16:40-17:10 Kryeministri (COD), pritje nga Kryeministri: 17:15-18:10 Fan Zone, koncerti festiv : 18:20- 19:50 Nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe deri përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” kombëtarja do të udhëtojë me autobus të hapur.