Foto marre nga Top Channel

Ëndrra e Kukësit kthehet në një makth europian. Për faj të personave të papërgjegjshëm, nënkampionët e vendit ndoshta duhet të përballen me sanksionet e UEFA-s, pasi ndeshja e Europa League kundër Legias së Varshavës u ndërpre përfundimisht në minutën e 52-të për shkak të një sendi të fortë të hedhur në fushën e lojës nga tifozët në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”.

Asistenti i kryesorit, Stefan Klossner raportoi për një gur të hedhur që goditi një prej lojtarëve polakë, çka bëri që ndeshja të ndërpritej në momentin më të bukur kur të dyja skuadrat gjetën nga një gol brenda pak sekondave, por ajo që duhej të ishte një festë futbolli u transformua sa hap e mbyll sytë në një moment negativ, që do të mbahet mend gjatë dhe do të rëndojë shumë për shpatullat e futbollit shqiptar. Gjestet e huliganizmit, të frymëzuara nga tifozët polakë, u kopjuan nga shqiptarët që tentuan të sulmonin nga shkallët lojtarët miq. Goli i dytë i Legias bëri që stadiumi të ndizej edhe më shumë pas shkëndijave të dhëna në pushimin e pjesë së parë ku polakët tentuan të çanin kordonin duke krijuar trazira. Një send i fortë i lëshuar nga shkallët preku një prej lojtarëve të skuadrës mike. Fillimisht trajneri i Legias tërhoqi skuadrën nga fusha e lojës dhe më pas gjyqtari Klossner vendosi ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes, duke thirrur në dhomat e zhveshjes dy kapitenët e skuadrave. Pas një bisede të gjatë mes gjyqtarit zviceran dhe lojtarëve që përfaqësonin klubet, shefin e sigurisë së Kukësit dhe drejtuesin e stadiumit Eduart Prodani, shefi i sigurisë se UEFA-s vendosi që ndeshja të ndërpritej përfundimisht. Takimi u pezullua kur rezultati ishte në shifrat 1-2 për Legian e Varshavës, pasi Nemanja Nikolic shënoi në pjesën e parë, ndërsa Moreira barazoi në fillimin e së dytës, ndërsa Rzezniczak shënoi pak sekonda më vonë.

Artikulli paraprakOSMAN MALJA TENTOI TË VRISTE NJË MJEK, POROSI NGA BURGU
Artikulli tjetërPOLICIA ASGJESON 5916 RRËNJË CANABIS SATTIVA