Kamza dhe Vllaznia kanë ndarë nga 1 pikë në barazimin pa gola në ndeshjen e sotme mes dy skuadrave që luajnë për objektiva krejtësisht të ndryshëm në këtë sezon. Dueli i sotëm ka qenë shumë i luftuar, por ka prodhuar shumë pak futboll dhe lojë të bukur.
Në pjesën e parë loja kishte aq shumë ndalesa për shkak dëmtimesh dhe faullesh, sa në fundin e saj u dhanë tre minuta shtesë. Në pjesën e dytë, Kamza e filloi më me vrull takimin, por e kishte të vështirë të gjenter të çara në prapavijën shkodrane, e cila mbrohej me shumë forca aq sa shpesh edhe Sukaj kthehej të ndihmonte ekipin.
Skuadrat prodhuan rastet më të mira në minutat e fundit të sfidës, ku shkodranët edhe arritën të gjenin rrjetën me sulmuesin Kalaja, gol i anulluar për pozicion jashtë loje. Ndaj në fund, dy skuadrat u desh të kënaqeshin me barazimin 0-0 që u shërben më shumë kuqebluve, të cilët arrijnë të shkëputen pak më shumë nga Teuta në luftën për mbijetesë.
Pas përfundimit të këtij takimi të luajtur në transfertë trainer Erenst Gjoka u shpreh se Kamza është një skuadrë që ka ecur mirë por e rëndësishmë ishte që Vllaznia të mos dilte si humbëse nga ky takim.
Tashmë Vllaznia është në kuotën e 26 pikëve ku të mërkurën e ardhshme kuqeblutë do të presë në Shkodër skuadrën e Partizanit për të vijuar kështu ndeshjen e javës së 25 të Kategorisë Superiore.