Ka ndërruar jetë ish- futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë Esat Rakiqi.
Njeriu që për një jetë të tërë i ka shërbyer futbollit shkodran dhe atij shqiptar, nuk ka mundur t’i rezistojë dot sëmundjes së rëndë që e kishte “pushtuar” këto kohët e fundit. Megjithëse i sëmurë, ai kishte udhëtuar drejt Amerikës për t’i qëndruar pranë të bijës që jeton atje, por sëmundja e ka mposhtuar dhe paraditen e sotme, ai ka mbyllur sytë përkohësisht. Lajmin e kanë bërë të ditur miqtë dhe kolegët e tij, Ramazan Rragami e Selami Dani dhe këtë lajm të hidhur në fakt, nga kontinenti i largët, e ka sjellë një tjetër ish- futbollist i Vllaznisë Arvis Hoxha që i ka qëndruar pranë profesor Esatit edhe në momentet e fundit të jetës së tij në spitalet amerikane. Sigurisht që të gjithë ne ndjejmë keqardhjen për humbjen e parakohshme të këtij futbollisti të dalluar, të këtij njeriu që shërbeu për plot 33 vite si trajner. Esat Rakiqi do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve si shembulli i njeriut korrekt dhe punëtor. Klubi i Futbollit Vllaznia i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të tij të dashur, por natyrisht që është një humbje e madhe edhe për klubin tonë, pjesë e historisë të të cilit është padyshim edhe profesor Esati. Trupi i tij pritet të mbërrijë në Shkodër në ditët në vijim dhe natyrisht që kësaj figure të shquar do t’i bëhen edhe nderimet e duhura. I përjetshëm qoftë kujtim yt profesor! © vllaznia.al