Policia e Shtetit. Tjetër operacion i përbashkët në det. Bie në rrjetën e bashkëpunimit mes dy policive një tjetër gomone me lëndë narkotike.
Në orët e pasdites së djeshme pas sinjalizimit nga Policia Kufitare Shqiptare për një gomone që lëviste me shpejtësi në drejtim të Italisë, Frontex me një avion portugez të patrullës, Guardia di Finanza e Pulias me një helikopter dhe dy Njësi detare me mbështetjen e Guardua di Finanza në Durrës dhe Vlorë, kanë bërë të mundur bllokimin e një gomoneje 7 m të gjatë me dy motorë nga 150 kuajfuqi në afërsi të Viestes, Foxhia.
Pas sinjalizimeve nga Policia Kufitare Shqiptare, avioni i Frontex e intercepton në det dhe Guardia di Finanza e Pulias pas 4 orë ndjekie i kap në Vieste rreth orës 18.30 të mbrëmjes së djeshme. Sekuestrohet lënda narkotike e tipit marjuanë rreth 800 kg e ndarë në 42 pako si dhe gomonia. Arrestohen në flagrancë dy skafistët shqiptarë me iniciale V.T, 21 vjeç nga Kavaja dhe D.B. 32 vjeç nga Durrësi. Vijojnë hetimet e përbashkëta për kapjen e bashkëpunëtorëve .