Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin juglindor të Diyarbakirit në Turqi, në shënjestër të të cilit ka qenë një stacion autobusi.
Ambulanca dhe zjarrfikës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që ka raportime për disa të plagosur. Incidenti ka ndodhur rreth orës 17 të pasdites së sotme me orën lokale, kur një pajisje eksplozivi është aktivizuar në një zonë jashtë një stacioni autobusësh në qytet. Fotot nga vendngjarja tregojnë disa automjete, përfshi edhe një autobus, të shkatërruar. Një televizion turk bën të ditur se të paktën 7 persona janë plagosur. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare në lidhje me shkakun e shpërthimit, por Turqia është goditur nga një valë sulmesh terroriste vdekjeprurëse gjatë vitit të kaluar. Diyarbakiri është një qytet me rreth një milion banorë, dhe një nga më të mëdhenjtë në Juglindje të Turqisë, e gjithashtu edhe me shumicë kurde.
/ Star Plus TV /