Zëvendës/Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, Hoyt Brian Yee, ka mbërritur në Kryeministri, ku pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama.

Pas Ramës, axhenda e takimeve do të vijojë me Metën dhe Bashën. Ndërkohë në orën 17 të pasdites, zyrtari i lartë amerikan ka parashikuar dhe një takim me deputetët demokratë që kanë shfaqur zërin e tyre kritik brenda Partisë Demokratike, Astrit Patozi, Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli. Pas krizës politike 86 ditore dhe pas dështimit të të gjitha negociatave të bëra deri tani, vizita e Hoyt Yee shihet si e fundit që mund të sjellë normalitetin politik në vend.

Axhenda e takimeve

Në orën 10:30 takim me Ramën

Në orën 11:30 takim me Metën

Në orën 14:45 takim me Bashën

Në orën 17:00 takim me Patozin dhe Bregun Apeli para vizitës

Para mbërritjes në Tiranë, Zëvendës/ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee bëri apelin e tij kundër çdo lloj bojkoti. “Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët nuk mund të heqin përgjegjësinë që kanë duke bojkotuar parlamentin” -tha zyrtari i lartë amerikan ndërsa kujtoi këshillën e ish-presidentit amerikan Rusvelt “se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”.

Gjatë fjalës së tij në forumin rajonal për siguri “2BS” në Budva të Malit të Zi, zyrtari i lartë amerikan tha se Qeveritë në rajonin e Ballkanit duhet të luftojnë kundër korrupsionit dhe udhëheqësit e rajonit duhet të gjejnë kurajën politike, për të bërë reformat e nevojshme në interes të qytetarëve. Vizitën e Hoyt Yee në Tiranë e komentoi edhe kreu i LSI, Petrit Vasili, i cili tha se ky është një shans për kompromisin që mundëson vazhdimin e integrimit europian dhe zgjedhje të lira e të ndershme, një shans për qetësinë që duam e aspirojmë të gjithë.

Artikulli paraprakBORCHARDT TAKIM ME RAMËN NË SELINË E PS PËR 18 QERSHORIN
Artikulli tjetërPËRPLASJE MES POLICISË BASHKIAKE DHE POLICISË SË SHTETIT