Kryeministri Edi Rama në konferencë për mediat për të sqaruar se si ka vijuar procesi i evidentimit të dëmeve dhe dëmshpërblimeve për rindërtimin e banesave të prekur nga tërmeti i fuqishëm që preku Shqipërinë më 21 shtator.
Kreu i qeverisë tha se ka mbajtur kontakt edhe me homologë në vendet fqinje, duke përmendur kryeministrin e Italisë, por edhe të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe zv.ambasadores së SHBA-ve që kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet tona për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura. Po ashtu, edhe sipërmarrja dhe investitorë të huaj të pranishëm në vendin tonë janë solidarizuar, duke ndërtuar një punë me disa korsi, siç u shpreh Rama.
“Akti normativ i buxhetit të këtij viti garanton fondin rezervë për situatën emergjente. Së dyti parashikon përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të të gjithë investimet mbi banesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit. Nisur nga fakti se Prokurimi me vlerë të vogël janë procedura të thjeshtuara që bëhen brenda një afati të shkurtër, kemi vendosur që të lejohen autoritetet kontraktore, dhe vetëm duke referuar familjeve të prekura nga tërmeti, për të plotësuar nevojat e tyre për procedura prokurimi në vlerë të vogël, deri në 10 milionë lekë të vjetra, sepse ka shumë nevoja që kushtojnë pak në raport me volumin e përgjithshëm por kanë një impakt të rëndësishëm për familjet.
Kemi vendosur të sigurojmë një ekzaminim të plotë edhe për ashensorët, për të cilët personat përgjegjës nuk disponojnë një dokumentacion të plotë. Objektivi është që të sigurohemi se ashensorët në përdorim plotësojnë kriteret dhe nuk janë të prekur pas tërmetit. Një vendim me impakt, që parashikon masa detyruese për ndërtuesit, investitorët, për të lidhur një kontratë sigurimi me afat 10-vjeçar me blerësit e apartamenteve.
Kjo kontratë mbulon dëmet e të tretëve ku për shkak të terrenit apo defektit në ndërtim, ndertimi shembet apo paraqet rrezik shembje apo defekte të tjera serioze. Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për kontrollin e sigurisë së ndërtimit përcakton se entet do të kryejnë oponencën teknike mbi cdo godinë publike dhe private me akses publik pavarësisht nga vlera e ndërtimit. Edhe për ato ndërtesa me mbi 50 vite të ndërtuara. Goditja sizmike nuk ka dhënë impakt në godinat e reja.
Kemi pasur dyshim se në gjithë këtë zhvillim të 30 vite për shkak edhe të shumë abuzimeve dhe shumë shkeljeve në lejet e ndërtimit të bëra do të kishim një vunerabilitet të konsiderueshëm në rast të një tërmeti. Për fat të mirë godinat kanë kaluar një tekst me sukses, sepse të gjitha dëmet, qoftë të konsiderueshme, qoftë sipërfaqësore, janë regjistruar në godina të vjetra, apo në shtesa të godinave të vjetra, apo godina të viteve ’90.
Në periudhën e mëpastajme nuk janë shënuar dëme, qoftë edhe sipërfaqësore, Ky ështe një lajm i mirë në gjithë morinë e vështirësisë së madhe që kemi kaluar, dhe pasojave që duhet të përballojmë.
Kemi vendosur të bëjmë përshpejtim të procedurave për leje ndërtimi për riparimin e ndërtesave që duhen bërë ndërhyrjet përkatëse pas tërmetit. Do ta marrin lejen pa paguar asnjë taksë dhe vetëm brenda 5 ditësh”, tha Rama.