Në Teatrin e Operas dhe Baletit po mbahen homazhet në nder të kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Krerët më të lartë të shtetit, politikës, personalitet të kulturës dhe diplomatë nderojnë shkrimtarin e madh Kadare. Homazhet nisën nga ora 09.00-11.00 zgjasin deri në 12.30. Në orën 11:30 pritet të mbahet ceremonia shtetërore e lamtumirës së shkrimtarit, ndërsa në 12:30 do të nis kortezhi i përcjelljes së shkrimtarit për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës.
Në nder të shkrimtarit, Shqipëria dhe Kosova janë në zi, ndërsa në dy vendet flamujt janë ulur në gjysmështizë.
Ndërkohë, në orën 13.00 çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe. Radio Televizioni shtetëror gjatë kohës së homazheve do të transmetojë muzike funebre, ndërsa për organizimin e homazheve është ngritur një komision i posaçëm shtetëror.
Në ceremoninë shtetërore që do të organizohet nga Kryeministria do të marrin pjesë krerët më të lartë të vendit, kryeministri Edi Rama me bashkëshorten, Presidenti Begaj me bashkëshorten, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, po ashtu edhe ministra, drejtues institucionesh të larta, personalitete të kulturës dhe artit si dhe diplomatëve të akredituar në vendin tonë. Gjithashtu do të jenë prezentë edhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës, Vjosa Osmani e Albin Kurti.
Ismail Kadare
Ismail Kadare një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohor, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërroi jetë në moshën 88 vjeç, mëngjesin e 1 korrikut. Kadare pësoi “arrest kardio-respirator”, në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë.
Lindur më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; Gjuhë – Letërsi në Tiranë, më pas dy vjet vjet studime në Moskë në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, Kadare është përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë dhe përkthyer në 45 gjuhë. Vitet e fundit I ndau mes Francës dhe Shqipërisë.
Shkrimtari së fundmi mori dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Autor i 71 veprave, ai shquhet kryesisht për prozë, por me kontribut edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.