Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbështetur një projekt-ligj të dy senatorëve amerikanë, i cili në rast se gjen mbështetjen e Kongresit, mund të ulë me 50% numrin e emigrantëve të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara.

Paketa parashikon heqjen e lotarisë amerikane si dhe reduktimin drastik të leje-qëndrimeve që u jepen qytetarëve të huaj. Që Donald Trump i ka shpallur luftë emigracionit të jashtëligjshëm, kjo është parë që prej fushatës së tij presidenciale. Megjithatë, Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara ka mbështetur edhe një projekt-ligj për kufizimin e emigracionit të ligjshëm, i cili është prezantuar nga dy senatorët republikanë, Tom Cotton dhe David Perdue.

Në rast se kjo paketë do të mbështetet në Kongres, shifrat e masave migratore në Shtetet e Bashkuara mund të përgjysmohen në 10 vitetet e ardhshme, ndërsa është parashikuar që t’i jepet fund lotarisë amerikane si dhe të ketë kufizime drastike në dhënien e leje-qëndrimeve të përhershme. Në fjalën e tij, Trump e ka konsideruar reformën si planin më të mirë që mund të ndërmarrë ShBA në më shumë se gjysmë-shekulli. Projekt-ligji i dy senatorëve, pavarësisht mbështetjes së hapur nga Presidenti, është përballur me kundërshtimet e ashpra nga anëtarët e Kongresit amerikan, ndaj në këtë moment, shanset që ajo të miratohet janë mjaft të pakta.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se gjithcka mund të ndodhë në rast se lideri aktual i Shtëpisë së Bardhë do të nisë një fushatë për të bindur senatorët e kampit të tij. Paketa e dorëzuar në Kongres është pritur me kundërshtime të ashpra edhe nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, të cilët nuk pajtohen me qëndrimet e Presidentit. Sipas tyre, masa të tilla ekstreme cënojnë rëndë parimet mbi të cilat janë ngritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Artikulli paraprakNË MES TË VERËS, GRUDA E RE VUAN PËR UJË
Artikulli tjetërKANALET VADITËSE, NDËRHYHET NË GURIN E ZI