Në Shqipëri, Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi sot se ka vendosur heqjen e të gjitha kufizimeve lidhur me pandeminë Covid 19. Për pasojë, nuk do të jetë më e detyrueshme mbajtja e maskave në mjedise të mbyllura, ndonëse kjo masë prej kohësh nuk respektohej, as nga qytetarët, dhe as nga institucionet e ngarkuara për të kontrolluar zbatimin e rregullave anticovid. Po ashtu, Komiteti bëri të ditur dhe lejimin e muzikës pas orës 23.00 dhe rihapjen e klubeve të natës.

Duke nisur që nga 1 maji, nuk do të jetë më në fuqi, as detyrimi për të paraqitur dokument vaksinimi për Sars Cov2, dokument të testimit negativ për infeksionin Sars Cov2 apo çertifikatë shërimi nga ky infeksion për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga çdo pikë kufitare.

Këto masa vijnë pas një situate në përmirësim të vërejtuar në 13 javët e fundit, me ulje të rasteve ditore, e po ashtu dhe të numrit të të shtruarve në spitale, apo atyre në gjendje të rëndë. Pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) ra në javën e fundit në nivelin e 3.8 përqind, sipas të dhënave të bëra sot publike nga Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Në Shqipëri aktualisht llogariten pak më shumë se 420 raste aktive, ose 15 raste për 100 mijë banorë.

Pavarësisht situatës së përmirësuar, autoritetet rekomandojnë me forcë vaksinimin, si mjeti kryesor për mbrotjen nga virusi, veçanërisht për shmangien e rasteve të rënda, në një kohë kur virusi është ende në qarkullim. “Kemi akoma qarkullim të shtamit BA1, të shtamit BA2 dhe pavarësisht situatës mjaft të mirë epidemiologjike, shtamet e Covid19 po pësojnë mutacione të vazhdueshme. Prandaj risku mbetet aktual”, deklaroi shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.

Shqipëria ka një mbulesë mbi 60.8 përqind me të paktën një dozë për popullatën target (mbi 12 vjeç), dhe mbi 50 përqind me dy doza. Komiteti Teknik i ekspertëve, bëri të ditur se Komiteti i vaksinimit, ka rekomanduar “kryerjen e dozës së katërt për qytetarët mbi 60 vjeç dhe atyre me sistem imunitar të kompromentuar sipas rekomandimit të mjekut të familjes”.

Nga fillimi i pandemisë, në Shqipëri janë infektuar afro 275 mijë qytetarë, ndërsa kanë humbur jetën rreth 3500 persona./VOA

Artikulli paraprakCENTRALI FOTOVOLTAIK I VAUT TË DEJËS, RAMA: I PARI NË VEND. NA DUHEJ NJË RRUGË E RE PËR TË KRIJUAR SIGURI DHE REZERVA ENERGJITIKE
Artikulli tjetërALEATI MË I AFËRT I “ZBULON” PLANET PUTINIT: UKRAINA DO TË SHPËRBËHET NË DISA SHTETE, PERËNDIMI DO…