Është ndarë nga jeta në moshën 81 vjeçare profesor doktor Vehbi Hoti. Prej 58 vitesh me radhë profesor Vehbi Hoti dha një kontribut të shquar në fushën e arsimit, duke qenë një prej akademikëve më të shquar të Shqipërisë. Prof. dr. Vehbi Hoti u cilësua si një personalitet i shquar i arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Që nga viti 1965 e deri më 2023, plot 58 vjet pa ndërprerje, ai i është përkushtuar arsimit në përgjithësi, posaçërisht arsimit të lartë, fillimisht si pedagog i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Prof. Dr. Vehbi Hoti u lind në Shkodër me 06. 04. 1942, ku përfundoi arsimin 7-vjeçar e atë të mesëm. U diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës në degën Biologji-Kimi- Pedagogji. Për periudha të shkurtra ka punuar në ish Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe në kabinetin pedagogjik të rrethit.

Për rreth gjysmë shekulli, 1966-2013 ka qënë pedagog i Universitetit të Shkodrës. Gjatë këtyre viteve është shquar si pedagog, si mësimdhënës, si studiues e si drejtues, duke u afirmuar si një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opioni i gjerë shoqëror. Përveç detyrës së pedagogut, ai ka qenë i ngarkuar me detyra e funksione të ndryshme. Për më shumë se 15 vjet ka qënë sekretar i Këshillit Shkencor të ILSHP dhe i Redaksisë së Buletinit Shkencor”. Që nga viti 2002 e gjer më sot është kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit, organ i Universitetit të Shkodrës. Në vitet 1989-1993 ka qënë përgjegjës i katedrës së Psikologji-Pedogjisë. Për 13 vjet, 1991-2003 dekan i pare i Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës.

Është dalluar për një punë serioze studimore shkencore. Ka një aktivitet të pasur botues e kumtues. Është autor dhe bashkëautor i shtatë botimeve monografike, 4 teksteve mësimore për shkollën e lartë dhe dy për shkollën e mesme. Ka botuar rreth 60 punime në shtypin shkencor dhe ka referuar në 50 sesione e konferenca shkencore. Ka marrë pjesë në disa projekte dhe ka bashkëpunuar si ligjërues me disa universitete edhe jashtë vendit, si Mal të Zi e Maqedoni. Rrjedhim i kësaj pune janë gradat dhe titujt që ka fituar duke filluar nga Doktor i Shkencave gjer në Prof. Dr. Me rastin e daljes në pension 2013 Senati i Universitetit të Shkodrës e ka nderuar me titullin “Profesor Emeritus”.

Ka marrë vlerësime të larta shtetërore nga Presidentët e Shqipërisë: Urdhëri “Naim Frashëri i Artë” (2001), Titulli Mësues i Merituar” (1987), Medalja “Naim Frashëri” (1977). Megjithëse më 2013 doli në pension, sërish bëri një jetë tepër aktive intelektuale, duke dhënë mësim si i jashtëm në Universitetin e Shkodrës dhe në atë të Podgoricës si dhe duke marrë pjesë në veprimtari shkencore, kumtuese e botuese. Vitin e kaluar universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nderoi profesorin e njohur Vehbi Hoti në 80 vjetorin e tij të lindjes me një konferencë shkencore kushtuar jetës dhe veprës së tij si pedagog me një kontribut të gjatë shoqëruar me një sërë artikujsh e botimesh shkencore.

https://youtu.be/7EslLS8OBJk

Artikulli paraprakSINDIKATA E ARSIMIT, KONTRATË E RE ME MINISTRINË
Artikulli tjetërLAJÇAK MBËRRIN NË KOSOVË, TAKON OSMANIN