Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Xhani de Biazi mund t’i thotë lamtumirë Shqipërisë. “Romatoday.it” shkruan se tekniku italian që shkruajti historinë në Shqipëri, duke e kualifikuar kombëtaren në “Euro 2016”, mund të përfundojë në Seria A, konkretisht tek ekipi i Lacios.
Edhe pse kandidati kryesor mbetet Sinisa Mihajlovic, drejtori sportiv i klubit italian, Igli Tare, po bën maksimumin që në drejtimin e skuadrës të emërohet De Biazi. Emri i trajnerit të kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, vazhdon të përmendet gjithnjë e më shumë mes kandidatëve të mundshëm për të marrë drejtimin e klubit të Lacios në sezonin e ardhshëm. Tare ka pasur vazhdimisht fërkime me Mihajlovic gjatë periudhës kur ishin futbollistë dhe është i bindur se De Biazi do të ishte më i përshtatshëm për të ndërtuar një cikël të ri fitues te Lacio. Mediat italiane shkruajnë se trajneri i Shqipërisë admirohet për faktin se është një motivues i shkëlqyer dhe mund të bindë disa nga emrat e njohur që të mos e braktisin Lacion në verë.