Menjëherë pas përfundimit të fjalës së prefektit të qarkut Shkodër Çesk Millja në takimin e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në kinema Millenium u shënua një incident.
Sekretari i Komitetit të Partisë Komuniste të Shqipërisë Gjon Bruçaj iu drejtua prefektit duke i thënë se përse nuk reagon për deklaratën e kryetares së bashkisë Shkodër Voltana Ademi e cila pak ditë më parë tha se dita e Çlirimit, 29 nëntori i vitit 1944 është ditë e zezë për Shqipërinë.
Pas takimit sekretari i Partisë Komuniste Gjon Bruçaj sqaroi këtë incident.
I pyetur për krimet e regjimit komunist sekretari i Komitetit të Partisë Komuniste thotë se Shqipëria nuk ishte asnjëherë në komunizëm por në realizëm socialist dhe se nuk ka patur krime por gabime duke i quajtur armiq të popullit mijëra të pushkatuar me apo pa gjyq.
Gjatë ceremonisë së vendosjes së kurorave me lule tek varrezat e dëshmorëve sekretari i Partisë Komuniste Gjon Bruçaj nderoi me grusht, simbol i komunizmit pranë Ushtarit të Panjohur.