Esin Hakaj është zyrtarizuar si largimi i rradhës nga Vllaznia. Mbrojtësi dhe klubi kuqeblu nuk arritën të gjenin rrugën e përbashkët për të vijuar marrëveshjen dhe në këtë mënyrë pas tre sezonesh, 27-vjeçari është larguar nga ekipi shkodran. Tashmë, Hakaj do të shqyrtojë të gjitha opsionet për të gjetur skuadrën e re, pasi ofertat gjatë kësaj periudhe nuk i kanë munguar, brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, futbollisti tjetër që pritet të zyrtarizohet si largim nga Vllaznia është Lorik Boshnjaku.

Mesfushorit nga Prishtina i ka përfunduar kontrata me kuqeblutë dhe si rrjedhojë, ai po shikon për opsione të tjera në karrierën e tij. Në adresë të 28-vjeçarit ka patur disa oferta, pikërisht nga ekipet e Shkëndijës së Tetovës, Ballkanit, Suharekës dhe Gjilanit në Kosovë. Në këtë mes, duket se gjithçka do të vendoset brenda pak ditësh, atëherë kur do të mësohet edhe ekipi i ri i Lorik Boshnjakut. Ndërkohë, ndryshe qëndron situata me dy futbollistët e krahut të djathtë, Geralb Smajli dhe Esat Mala.

Të dy ata kanë patur bisedime me drejtuesit për të rinovuar kontratën dhe tashmë pritet një përgjigje përfundimtare e tyre. Në fakt, klubi shkodran filloi para disa ditësh me rinovimin e futbollistëve titullarë, por mbeti vetëm tek dy të parët, Stojanoviç dhe Juriç. Edhe pse puna e rinovimeve ka nisur muaj më parë, duket se disa futbollistë po shohin edhe variante të tjera përpara skuadrës kuqeblu. Deri tani, klubi ka zyrtarizuar largimet e brazilianit Gomes, kosovarit Ajdareviç dhe Hakajt, ndërsa çështja e vonesës së rinovimeve ka filluar të ndihet si shqetësim te kuqeblutë.

Artikulli paraprakPROVIMI I GJUHËS SË HUAJ, MATURANTËT: ISHTE MESATAR
Artikulli tjetërMATURANTËT I NËNSHTROHEN PROVIMIT NË GJUHËN E HUAJ