Vllaznia më në fund duket se do t’u thotë stop pushimeve dhe do t’u rikthehet seancave stërvitore.

Pasi kanë lënë mbrapa një muaj të mbushur me shumë punë, drejtuesit e saj i kanë kthyer më në fund sytë edhe nga skuadra. Puna nuk pritet që të startojë me daljen në stërvitje të ekipit, por me zhvillimin sa më të shpejtë të analizës, e cila është shtyrë për javë e javë të tëra.

Në këtë takim pritet që të mësohet edhe më tej mbi të ardhmen e ekipit, strategjitë që do të ndiqen për formimin e skuadrës, por edhe të saktësohet nëse do të jetë sërish Cungu në krye të skuadrës. Gjithashtu, tekniku që është ende i pavendosur mund të mos startojë punën pa pasur miratimin e kryebashkiakes Ademi në lidhje me skuadrën e sezonit të ardhshëm.

Shtyrja e analizës, po ashtu edhe startit të punës për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, ka lënë peng edhe nisjen e punës në terren. Dalja e skuadrës në procesin stërvitor është në këto momente gjëja më e thjeshtë që mund të realizohet, pasi lojtarët janë në pritje të një telefonate nga ana e klubit.

Pavarësisht se për merkaton u fol menjëherë pasi Vllaznia arriti të siguronte mbijetesën, lëvizjet pas atij momenti kanë qenë shumë të pakta. U premtua merkato cilësore dhe një skuadër e cila nuk do të diskutonte mbijetesën, por asgjë nuk ka ndodhur. Askush në stafin shkodran nuk di të thotë nëse ka pasur kontakte me ndonjë lojtar.

As trajneri Cungu e as drejtuesi sportiv Zeka nuk kanë ndonjë emër futbollisti të ri që mund t’u bashkohet kuqebluve me përjashtim të Hasanit, për të cilin thuhet se është në rrugën e duhur që të bashkohet me skuadrën. Megjithatë, edhe mesfushori shkodran nuk e ka dhënë ende fjalën e tij finale. Me sa duket, emrat që trajneri Cungu ka në letër në këtë sezon do të mbeten sërish aty.

Artikulli paraprakMATEMATIKA, PËRFUNDOJNË PROVIMET E LIRIMIT
Artikulli tjetërBILANCI I ÇAKOS: POLICIA GARANTOI ZGJEDHJET, U ARRESTUAN 7 PERSONA