Largohen 21 sirianë nga qendra e pritjes së Azilantëve në Babrru
21 persona me kombësi siriane braktisën Qendrën e Aziltantëve në Babrru të Tiranës, mëngjesin e të dielës duke mos u kthyer më në ambientet e qendrës së pritjes në mbrëmje. Lajmi u bë i ditur për mediat nga policia, sipas së cilës, shtetasit sirianë shumica e të cilëve burra, braktisën ambientet e qendrës së pritjes, duke u larguar në mënyrë të papritur. Sirianët mësohet se kishin disa javë që qëndronin në strehën përkatëse, ndërsa kishin kërkuar azil në Shqipëri, për shkak se vinin nga një zonë lufte në Siri. Për grupin e mësipërm autoritet kishin nisur procedurat e azilit për grupin e mësipërm, ndërsa sipas rregullave të azilit ata nuk duhej të largoheshin në asnjë vend pa njoftuar. Policia dyshon se personat mund të kenë renë në kontakt me persona të ndryshëm që mund t’iu kenë premtuar atyre kalimin në Mal të Zi, apo në vende të tjera kufitare me ato të BE-së me qëllim kalimin drejt këtyre territoreve. Pavarësisht kërkimeve, policia nuk ka mundur të zbulojë vendodhjen e mundshme të tyre.