Edhe tre ish-futbollistë të tjerë të Vllaznisë mund të firmosin në ditët e ardhshme me Besëlidhjen. Pas Alis Bacit, që e ka bërë një gjë të tillë në ditët e kaluara, shumë shpejt këtë procedurë mund ta kryejnë edhe Arsen Hajdari, Arsen Sykaj dhe Arenc Dibra. Të tre ata janë në bisedime me presidentin Gjokë Noka dhe pritet që të mbyllen marrëveshjet respektive, në mënyrë që më pas t’i bashkohen kësaj skuadre në stërvitje.
Lajmi konfirmohet për nga burime pranë këtyre lojtarëve. Në fakt, të tre ata kanë oferta edhe nga Tërbuni i Pukës, megjithatë oferta e lezhjanëve mendohet të jetë më e mirë. Trajneri Kreshnik Krepi i kërkon me instistim këta futbollistë dhe me ta skuadra mund të konsiderohet e plotësuar, nisur edhe nga ardhjet e disa lojtarëve të tjerë deri më tani. Me Sykaj në mbrojtje gjërat do ishin shumë më mirë, nisur edhe nga përvoja disavjeçare e këtij futbollisti në Superligë. Po ashtu, me Hajdarin dhe Dibrën në sulm apo dhe me serbin Bajiç, që është pjesë e skuadrës, puna do bëhej më e lehtë në manovrën sulmuese. Konfirmimi për të tre këta ish-lojtarë të Vllaznisë pritet të bëhet shumë shpejt dhe ata të nisin stërvitjen me lezhjanët, për t’u bërë gati për nisjen e kampionatit të ri, kampionat në të cilin Besëlidhja pa dyshim që do ketë një objektiv të vetëm: ngjitjen në Superligë, për të realizuar atë që nuk e bëri sezonin e kaluar, ndonëse gara me Tërbunin ishte shumë e fortë deri në javën e fundit të kampionatit.