Reformat që po ndërmerren nga Ministria e Brendshme në sektorin e policisë kanë prekur edhe komisariatin në Malësi të Madhe.
Ditët e fundit janë larguar nga ky komisariat dhjetë punonjës policie, pesë prej të cilëve i përkisnin sektorit të qarkullimit ndërsa të tjerët ishin pjesë e policisë rrugore. Forcat e Rendit në Malësinë e Madhe kishin deri para pak ditësh gjithsej 57 efektivë, ndërsa me ndryshimet e reja për momentin do të jenë vetëm 47, ku përfshihen: Shefi i komisariatit Komisar Leonard Ndrekaj, Shefi i rendit Hilmi Mataj, Komandanti i Policisë se rendit Flamur Çela dhe Komandantin e Policisë rrugore Angjelin Zefi. Numri prej vetëm 47 punonjësish në policinë e Malësisë së Madhe nuk është i mjaftueshëm duke parë popullsinë dhe territorin tashmë të zgjeruar të kësaj bashkie atje. Burimet bëjnë me dije së këto largime nuk janë pritur mirë nga komuniteti vendas për shkak të kontributit që të larguarit kanë dhënë për sigurinë e zonës. Po ashtu burime të pakonfirmuara pranë policisë në komisariatin e Malësisë së Madhe lënë dyshime se këto largime mund të kenë edhe motive politike dhe se mund të zëvendësohen me polic të tjerë që mund të kenë një mbështetje politike më të madhe. Kjo ka krijuar edhe një shqetësim për komunitetin duke qenë se në policinë e shtetit nuk mund të ketë ndasi politike. Ende nuk dihet se cilët do të jenë ata që do të zëvendësojnë të larguarit ndërsa nuk përjashtohet mundësia që edhe të mos zëvendësohen.
/ Star Plus TV /