Për më shumë se një orë, kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, është marrë në pyetje nga SPAK lidhur me videon e publikuar një ditë më parë në ekranet televizive, ku pretendohet se ai është duke konsumuar drogë.
SPAK ka regjistruar kallëzimin penal kryesisht. Pas daljes nga SPAK, Alla refuzoi të japë shpjegime për gazetarët duke u mjaftuar shkurt: “Nuk kam komente, e verifikon prokuroria.”
Kryebashkiaku deri tani ka mohuar që të jetë ai personi në videon e publikuar.
Ai ka deklaruar se i është bërë shantazh prej një viti. Të gjitha këto pretendime do të hetohen nga SPAK.
Më herët gjatë ditës, Lefter Alla, paralajmëroi padi ndaj ish-deputetit demokrat Ervin Salianji.
Artan Hoxha: Ja çfarë u dhashë prokurorëve
Për të njëjtën çështje, përpara tij në SPAK u mor në pyetje dhe gazetari Artan Hoxha, që ishte dhe personi që publikoi videon që implikon kryebashkiakun, i cili ka dhënë sqarime lidhur me videon, mënyrën si e ka gjetur, kush janë personat që ja kanë vënë në dispozicion.
“Unë paraqita mënyrën se si mora videon. Çfarë disponoja ia kam paraqitur prokurorisë. I kam dhënë prokurorit çdo informacion që ai ka dashur. Sigurisht pres që SPAK të jetë në lartësinë e pritshmërinë e shqiptarëve. Kam besim se do ta bëjnë punën e tyre.E kuptoj linjën e mazhorancës, persona që kanë përgjegjësi morale dhe po mundohen ta faktorizojnë.
Edhe pronarët e medieve, ish-kolegët, ish-gazetarët që sot janë bërë pronarë, që po mundohen ta shpëtojnë këtë ngërç që ka zënë mazhorancën, nuk mund të më lidhin mua me politikën apo me ish-deputetin Salianji”, deklaroi gjatë fjalës së tij, Artan Hoxha.