Kryeministri Edi Rama theksoi se me 350 aplikime që janë bërë në zonën e Konispolit, vitin tjetër kjo do të jetë një nga bashkitë e para që e mbyll përfundimisht procesin e legalizimeve.
Rama zhvilloi një takim me banorë atje për të shpërndarë certifikatat e pronësisë. Duke u ndalur tek akuzat për çështjen e pronave të minoriteteve, Rama tha se Konispoli është një shembull se si respektohet çdo qytetar pa dallim etnie.
Rama: Përmbushet një zotim për gjithë këtë zonë, ku bashkëjetojnë në harmoni edhe shqiptarë edhe minoritarë. Minoritarët e kësaj zone marrin një mesazh të qartë që është i qeverisë sonë se për ne nuk ka asnjë dallim dhe respekt për të gjitha të drejtat. Të gjithë ata që bëjnë zhurmë të madhe në Tiranë apo gjetkë për të drejtën e pronës së minoritarëve në Shqipëri, ja ku kanë një shembull besimplotë se si respektohet maksimalisht dhe në mënyrë tërësisht të barabartë çdo qytetar qoftë me kombësi shqiptare qoftë me kombësi greke. Tani jam i bindur se po bëhet e qartë dita ditës për të gjithë minoritarët se shtëpia e tyre më e sigurt është Partia Socialiste.