Legjenda e futbollit brazilian dhe atij botëror, Pele, është shtruar sërish për trajtim në spital, dy muaj pasi iu nënshtrua një operacioni në prostatë. Mediat në Brazil raportojnë se 74-vjeçari vuante nga një nerv i bllokuar dhe në të kaluarën ka pasur një seri ndërhyrjesh kirurgjike në spitalin “Albert Einstein” të Sao Paulos.

I madhi Pele, 3 herë kampion në Botëror me Brazilin e tij, tetë muaj më parë u mjekua për një infeksion urinar, pasi iu hoqën gurët në veshka. Aktualisht ai ka vetëm një veshkë, pasi njëra iu hoq pak kohë pasi përfundoi karrierën sportive. Sipas mediave lokale, këtë herë nuk bëhet fjalë për ndonjë gjë serioze. Ai pritet të dalë nga spitali në ditët e ardhshme. Një zëdhënëse e spitalit ku është shtruar legjenda e futbollit nuk pranoi të komentonte për momentin e shtrimit dhe për arsyet, duke theksuar se një gjë e tillë ishte informacion konfidencial. Pele, i zgjedhur nga FIFA si “Lojtari i Shekullit”, arriti një rekord botëror me 1.281 gola të shënuar në 1.363 ndeshje gjatë karierës së tij 21-vjeçare, përfshirë këtu 77 gola në 91 ndeshje për fanelën e kombëtares braziliane. Në Kupën e Botës, ai ka zhvilluar 14 ndeshje, duke shënuar 12 gola.

Artikulli paraprakANALIZA E ZGJEDHJEVE, NGA E HËNA NË PARTINË SOCIALISTE
Artikulli tjetërSTËRVITJA E VLLAZNISË, NISIN PROBLEMET E DËMTIMEVE