Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës miratoi kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për të vendosur caktim të masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të detyrës” së Drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës,
për Adhurim Qehajaj, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” (ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.02.2007) parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
Kërkesa e mësipërme vjen pas hetimit mbi dhënien e një lejeje zhvillimi dhe ndërtimi nga Bashkia Durrës për objektin në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi që ndodhet ndërmjet rrugës Kombëtare tek “Ura e Dajlanit” dhe bregut të Detit.
Prokuroria arriti në përfundimin se leja e dhënë nga Bashkia Durrës është në kundërshtim me kriteret e ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, dhe VKM nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” i ndryshuar.
Objekti me sipërfaqe 1516.8 m2 ndodhet brenda kufirit kufizues të përcaktuar si Zonë me Rëndësi Kombëtare, në pjesën e Brezit Bregdetar.
Gjithashtu Gjykata në Durrës vendosi caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive në lidhje me objektin dhe truallin duke urdhëruar:
-Pezullimin e kryerjes së mëtejshme të punimeve të ndërtimit në objektin “Hotel 5-6 kate dhe 1 kat nëntokë” në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi, lagje nr. 13, Plazh, Durrës.
-Pezullimi i kryerjes së transaksioneve në pasurisë në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi.
Prokuroria saktësoi se leja e zhvillimit dhe ndërtimit është dhënë për një zonë të përcaktuar si të Rëndësisë Kombëtare dhe është Këshilli Kombëtar i Territorit organ kompetent përgjegjës për të miratuar lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për zona të rëndësisë kombëtare.