Lejet e ndërtimit sërish i ka në dorë agjencia kombëtare e planifikimit të territorit dhe jo bashkitë që kanë plan rregullues të miratuar siç u tha ditët e fundit. Në Shkodër për dy vite e gjysëm numri i lejeve të ndërtimit ka qenë tejet minimal dhe pothuajse ky process ka qenë tërësisht i bllokuar për shkak të kufizimeve të qeverisë. Ministria e zhvillimit urban vendosi që të heqë kufizimin deri në 250 metër katror e po ashtu në vendimin dërguar bashkive të reja përcakton se duhet që të pranojnë kërkesat për ndërtime deri në 6 kat në ato bashki ku ka plan rregullues të miratuar mes të cilava është edhe bashkia Shkodër.
Pavarësisht kësaj, AKPT nuk i ka lënë tërësisht dorë të lirë bashkive sepse është ajo që do japë vendimin përfundimtar nëse një leje për ndërtesa deri në 6 kat duhet të jepet apo jo nga njësitë e qeverisjes vendore. Vendimi 408 i këshillit të ministrave “për miratimin e zhvillimit të territorit” pësoi këto ndryshime në të cilin thuhet se: “Deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për territoret administrative të bashkive: a) kërkesat për leje zhvillimi/ndërtimi do të merren në shqyrtim nga autoritetet përgjegjëse vetëm për zhvillime të propozuara në zona të territorit vendor, për të cilat janë miratuar dokumentet e planifikimit të territorit, me përjashtim të zonave me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike dhe brezit bregdetar. Më tej shkresa e ministrisë së zhvillimit urban dërguar bashkive që kanë planet rregulluese sqaron edhe më qartë se “lejet e ndërtimit do të merren në shqyrtim nga njësitë e qeverisjes vendore për ndërtesa deri në 6 kate. Pasi sqaron edhe kategorite e lejeve apo se duhet që te jetë brenda zonave të urbanizuara sipas vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit, në pikën 3 të shkresës bëhet e qartë se: bashkia duhet që të botojë online kërkesën për leje ndërtimit në regjistrin e integruar të territorit dhe pas botimit në këtë regjistër është agjencia kombëtare e planifikimit të territorit ajo që njofton bashkinë për konformitetin e lejes dhe më pas bashkia mundet të vendosë për dhënien e lejes në bazë të kërkesës së bërë. Pra pas kërkesës për leje përveçse duhet pritur 60 ditë është AKPT ajo që i hap ose jo dritën jeshile njësive të qeverisjes vendore, çka do të thotë se praktikisht është qeveria që vendos për dhënien ose jo të një leje ndërtimi dhe jo bashkitë përkatëse. Lejet e ndërtimit nga Bashkitë dhe Komunat nuk mund të jepen aktualisht edhe pse Gjykata Kushtetuese para 10 ditëve shfuqizoi vendimin e qeverisë të marrë nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Territorit, për të bllokuar lejet e ndërtimit që jepen nga vendorët deri në përfundimin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit të këtij viti. Edhe pse në kushtetuese i është dhënë drejtë Partisë Demokratike dhe Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ende lejet e ndërtimit nuk mund të merren. Shkak për këtë bllokim është bërë ligji i ri i që ka hyrë në fuqi që në 1 tetorin e 2014-ës. Me këtë ligj qeveria vazhdon të mos plotësojë aktet nënligjore të tij duke bërë kështu të pamundur zbatimin e ligjit të ri për urbanistikën. Në daljen e saj të parë për këtë vit për mediat, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni deklaroi se do të zhbllokohen lejet e ndërtimit për banesat individuale dhe për rikonstruksionin në funksion të zhvillimit urban. Por loja nuk mbaron me kaq sepse edhe për banesat individuale leja do të jepet pas një konfirmi paraprak nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, çka do të thotë se sërish Bashkitë dhe Komunat nuk e kanë në dorë por vetë qeveria. Vendimi i 22 gushtit të vitit të kaluar që ndalonte kryebashkiakët dhe kryekomunarët të jepnin leje ndërtimi u ankimua në Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive e kryesuar nga Bashkia e Tiranës, që drejtohet njëkohësisht nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në kërkesën e saj, Shoqata e Bashkive kërkonte shpalljen të papajtueshëm me Kushtetutën. Gjatë mbledhjes së 22 gushtit në Këshillin Kombëtar të Territorit, Kryeministri Edi Rama, teksa njoftoi pezullimin e lejeve të ndërtimit, akuzoi vendorët për abuzime kolosale me lejet e lëshuara. Këta të fundit e quajtën vendimmarrjen e KKT-së si një lojë elektorale dhe paralajmëruan ankiminin në Kushtetuese. Në këtë mënyrë ndonëse Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë vendimin për pezullimin e lejeve zhvillimore ato mbeten të bllokuara. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë dhe opozita herë pas here i kanë bërë thirrje kryeministrit të ndalë praktikat antiligjore dhe antikushtetuese të shkeljes dhe dhunimit të autonomisë vendore.