GJYKATA KUSHTETUESE SHFUQIZOI LEJET POR I MBAN PENG LIGJI I RI PËR URBANISTIKËN. Lejet e ndërtimit nga Bashkitë dhe Komunat nuk mund të jepen aktualisht edhe pse Gjykata Kushtetuese para 10 ditëve shfuqizoi vendimin e qeverisë të marrë nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Territorit,
për të bllokuar lejet e ndërtimit që jepen nga vendorët deri në përfundimin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit të këtij viti. Edhe pse në kushtetuese i është dhënë drejtë Partisë Demokratike dhe Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ende lejet e ndërtimit nuk mund të merren. Shkak për këtë bllokim është bërë ligji i ri i që ka hyrë në fuqi që në 1 tetorin e 2014-ës. Me këtë ligj qeveria vazhdon të mos plotësojë aktet nënligjore të tij duke bërë kështu të pamundur zbatimin e ligjit të ri për urbanistikën. Në daljen e saj të parë për këtë vit për mediat, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni deklaroi se do të zhbllokohen lejet e ndërtimit për banesat individuale dhe për rikonstruksionin në funksion të zhvillimit urban. Por loja nuk mbaron me kaq sepse edhe për banesat individuale leja do të jepet pas një konfirmi paraprak nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, çka do të thotë se sërish Bashkitë dhe Komunat nuk e kanë në dorë por vetë qeveria. Vendimi i 22 gushtit të vitit të kaluar që ndalonte kryebashkiakët dhe kryekomunarët të jepnin leje ndërtimi u ankimua në Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive e kryesuar nga Bashkia e Tiranës, që drejtohet njëkohësisht nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në kërkesën e saj, Shoqata e Bashkive kërkonte shpalljen të papajtueshëm me Kushtetutën. Gjatë mbledhjes së 22 gushtit në Këshillin Kombëtar të Territorit, Kryeministri Edi Rama, teksa njoftoi pezullimin e lejeve të ndërtimit, akuzoi vendorët për abuzime kolosale me lejet e lëshuara. Këta të fundit e quajtën vendimmarrjen e KKT-së si një lojë elektorale dhe paralajmëruan ankiminin në Kushtetuese. Në këtë mënyrë ndonëse Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë vendimin për pezullimin e lejeve zhvillimore ato mbeten të bllokuara. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë dhe opozita herë pas here i kanë bërë thirrje kryeministrit të ndalë praktikat antiligjore dhe antikushtetuese të shkeljes dhe dhunimit të autonomisë vendore.