Një 21-vjeçar ka kërcënuar komshien e tij me inicialet S.D, ndërkohë që djali i saj e ka rrëmbyer të riun dhe e ka rrahur.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Babrru të Kamzës. M.GJ i ka shkuar në shtëpi komshijes së tij 42 vjeç dhe duke e kërcënuar me thikë i ka kërkuar lekë. Sipas Policisë së Tiranës i riu dyshohet se është përdorues droge dhe i kërkonte lekët komshies së tij pa i dhënë ndonjë shkak. Ai mësohet t’i jetë drejtuar asaj, “më jep lekë ose do të të vras”. 42-vjeçarja pasi ka parë thikën, menjëherë më pas ka lajmëruar djalin e saj M.D, 21 vjeç. Ky i fundit ka marrë edhe dy shokë të tij dhe ka shkuar pranë banesës. Pak metra larg shtëpisë ai ka parë personin që i kërcënoi nënën me thikë. Të tre e kanë rrëmbyar 21-vjeçarin dhe e kanë futur në bagazhin e një makine Ford-Focus.
Ata e kanë rrahur 21-vjeçarin në bodrumin e një pallati. Më pas 3 të rinjtë e kanë marrë personin që kërcënoi komshijen dhe e kanë çuar pranë banesës te babai i tij. Ata i kanë thënë arsyjen pse e kanë dhunuar dhe janë larguar. Por oficerët e Policisë të komisariatit nr.5 i kanë arrestuar të 4 personat. 21-vjeçari M.GJ akuzohet për kërcënim me thikë, ndërkohë që M.D dhe dy shokët e tij akuzohen për dhunë dhe heqje e lirisë. Uniformat blu vijojnë hetimet për ngjarjen e pazakontë që çoi në rrëmbimin e një të riu.