Në vitin e shpallur të gjuhës shqipe, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhësisë në universitetin “Luigj Gurakuqi”, si dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike të këtij universiteti, organizuan konferencën “Leksikografia shqipe e viteve ’30-’40 të shekullit XX”. Akademiku Valter Memisha u shpreh se u zgjodh Shkodra për këtë konferencë si një qytet me shumë kontribute në leksikografinë e gjuhës shqipe.
Akademiku Memisha dha lajmin se pothuajse ka përfunduar botimi për një fjalor tejet të rëndësishëm të gjuhës shqipe.
Zëvendës rektorja e universitetit të Shkodrës Blerta Dragusha dhe pedagogia Orjeta Baja u shprehën se kjo konferencë synon që të sjellë në vëmendje një periudhë të rëndësishme të viteve ‘30-‘40 të gjuhës shqipe.
Në këtë konferencë shkencore për leksikografinë e gjuhës shqipe të viteve ’30-’40 u mbajtën kumtime nga akademikë të njohur dhe pedagogë të gjuhës shqipe të universitetit të Shkodrës për disa prej emrave më të rëndësishëm të shqipes të atyre viteve.