Leksione nga burgu, të dënuarit-të rinjve: Mos bëni gabimet tona
Ka dëshirë të kthejë kohën pas për të korrigjuar gabimet që e dërguan në burg, por kjo është e pamundur. Ndaj, këshilla e tij për të rinjtë është të kënë kujdes. Gentjan Hoxha, një ish-specialist banke u arrestua 6 vjet më parë mbi dyshimet se përmes shpërdorimit të detyrës kishte përfituar 500 mijë euro. Por tashmë, dëshira për para ia ka lënë vendin pendimit. “Kisha një karrierë të shkëlqyer përpara, por për shkak të dobësisë time bëra një vepër që më privoi prej lirisë, familjes time dhe njerëzve të mi të dashur”, thotë Hoxha. E ardhmja premtuese e priste në politikë edhe Klevis Bitron, por nga shef kabineti i ministrit Spiro Ksera, ai përfundoi në burg. Mesazhi i tij gjatë takimit më gjimnazistët u adresohet miqve dhe ëndrrave. “Të qëndroni në krahë të njëri-tjetrit, të përzgjidhni mirë shoqërinë, të mbaroni shkollën dhe të ndiqni ëndrrat tuaja e të mos i braktisni ato”, u bëri thirrje Bitro të rinjve. Riintegrimi i të dënuarve pas përfundimit të burgimit shihet ende si një sfidë. “Unë dua që ju të mësoheni me heqjen e paragjykimit, e paragjykojmë tjetrin pse ka qenë diku. Dhe kjo kulturë u fut edhe në politikë”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.