Në orët e para të ditës së sotme janë regjistruar disa lëkundje të tjera tërmeti me epiqendër në Detin Adriatik dhe zona të tjera të vendit, por me magnitudë shumë të vogël, pa asnjë rrezik.
Lëkundjet ditën e sotme
Ora 00:03, 3.7 ballë me epiqendër Fushë Krujë
Ora 00:06, 2.9 ballë me epiqendër Shijak
Ora 01:41, 3.2 ballë me epiqendër Deti Adriatik
Ora 02:21, 2.6 ballë me epiqendër Mamurras
Ora 04:27, 2.7 ballë me epiqendër Shijak
Por dëmet në banesa të shkaktuara nga goditja e fortë e dy ditëve më parë dhe alarmi i rremë i portalit Syri.net mbrëmjen e djeshme që përhapi frikë dhe panik se do të kishte një tërmet me një fuqi 6 ballë bëri që shumë qytetarë të Durrësit të kalonin natën në çadrat e vendosura ditën e djeshme nga Emergjencat Civile në stadiumin ‘Niko Dovana’.
Për shumë qytetarë të Tiranës dhe të Durrësit qeveria vendosi në dispozicion konvaleshenca në qytetin bregdetar duke i dërguar me pushime të detyruara deri në riparimin e banesave të tyre.
Mbrëmjen e djeshme portali Syri.net publikoi një fake news duke përhapur panik për një tërmet në 23.30 me një fuqi 6 ballë, pra me i fortë se ai i te shtunës.
Lajmi u përhap në të gjithë mediat sociale duke nxjerrë njerëzit të alarmuar në rrugë. Portali pranë Berishës dhe Metës e hoqi më pas lajmin, ndërsa solli reagimin e fortë dhe të menjëhershëm të strukturave shtetërore, që e cilësuan si përgjegjësi penale.
Dy gazetarët që përhapën lajmin e rremë se në orën 23:30 do të bjerë një tërmet të fuqishëm, janë shoqëruar në polici. Mësohet se uniformat blu kanë shoqëruar në Komisariat gazetarin e “Syri.Net” Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”.
Tërmetet nuk janë të parashikueshëm, ndërsa goditjet e para të fuqishme shoqërohen me lëkundje të vogla.