“Përshëndetje zoti Lamallari
Unë që po ju shkruaj jam një qytetare e Shkodrës.

Me ndjesi të thellë keqardhjeje po marr vesh çdo ditë për shtimin e frikshëm të numrit të të infektuarve në qytet.

Kam bindjen e plotë personale se kjo po ndodh për shkak të papërgjegjshmërisë të një pjesë të mirë të qytetarëve, por edhe për shkak të reagimit të autoriteteve përgjegjëse kundrejt shkelësve të rregullave.

Si është e mundur që çdo ditë trotuaret anës rrugëve të qytetit janë të mbushura me grupe burrash e djemsh që RASTËSISHT rrinë ngjitur me lokalet që në mënyrë thuajse të hapur u shërbejnë kafe (me demek për mbrojtje, me gota plastike)?
Nuk e sheh policia këtë gjë? Apo edhe policët janë klientë të rregullt!?Si është e mundur që marketet nuk e zbatojnë ASPAK rregullin e distancimit, sepse në to hynë aq klientë sa të kenë dëshirë?
Nuk e sheh policia këtë gjë? Apo nuk mund të cënojnë interestat e marketeve!?

Si është e mundur që në treg, para një tezge mblidhen 10 vetë duke përzgjedhur produktet me duar pa asnjë mbrojtje e të gjithë njëherësh? Edhe kur i thua me mirësjellje: Të lutem prit pak më larg, siç prita dhe unë. Përgjigjen: Hajt maj se nuk kam kërgja!
Nuk e sheh policia këtë gjë? Apo është thjesht formalisht në hyrje të tregut!?

Si është e mundur që 99% e njerëzve dalin çdo ditë pa autorizimin e detyrueshëm, sepse askush nuk e kontrollon?
Nuk e sheh policia këtë gjë? Apo hajt se nuk po merremi me këtë punë!

Por mos u merr me këtë e mos u merr me atë, gjendja në qytet sa vjen e rëndohet.

Sa duhet të shkojnë shifrat që policia ta marrë në dorë situatën (meqë njerëzit nuk po sillen me përgjegjësinë e tyre qytetare)?”

Artikulli paraprakRAMA PREZANTON SOT PAKETËN E ZGJERUAR EKONOMIKE, PRITET PËRFSHIRJA E PUNONJËSVE TË PEZULLUAR APO LARGUAR PREJ BIZNESIT TË MADH
Artikulli tjetërRAMA: GARANCI SOVRANE 150 MLN $ PËR TURIZMIN DHE FASONËT, QEVERIA PAGUAN INTERESIN