Letra e shkruar me shkrim dore nga Albert Einstein, në të cilën ai ballafaqohet me konceptin e fesë, është nxjerrë në ankand në Nju Jork të martën.
E ashtuquajtura “Letër e Zotit” është shkruar në vitin 1954 dhe është shitur për një shifër rekord në ankandin e “Christie’s”, plot 2 milionë e 892 mijë e 500 dollarë.
Shkencëtari fitues i çmimit “Nobel”, në moshën 74-vjeçare shkroi një shënim, një faqe e gjysmë, drejtuar filozofit gjerman Eric Gutkind, si përgjigje ndaj një prej veprave të tij.
Ajo shihet si një deklaratë kyçe në debatin midis shkencës dhe fesë.
“Kjo letër shumë e sinqertë dhe private u shkrua një vit para vdekjes së Einsteinit dhe mbetet shprehja më e artikuluar e pikëpamjeve të tij fetare dhe filozofike”.
Në letrën e shkruar në gjuhën e tij të lindjes, Einsteini merr parasysh besimin në Zot.
“Fjala Zot nuk është për mua asgjë tjetër, përveçse shprehje dhe produkt i dobësive njerëzore”, shkruan ai. “Bibla është një koleksion legjendash të nderuara, por akoma primitive. Asnjë interpretim, pavarësisht sesa delikat, nuk mund të ndryshojë gjë në lidhje me këtë”.
Fizikani mendonte po ashtu për identitetin e tij hebre, duke shkruar se është “si të gjitha fetë e tjera, një mishërim i supersticionit primitiv”.
“Populli hebre, të cilit me kënaqësi i përkas, e në mentalitetin e të cilit ndihem thellësisht i ankoruar, ende për mua nuk ka asnjë lloj dallimi në dinjitet nga të gjithë popujt e tjerë”, shkruan Einstein.